Muaji i Ramazanit përfaqëson një etapë të vitit në të cilën besimtarët myslimanë agjërojnë, në shenjë solidarizimi me të tjerët, të vuajturit, njerëzit dhe fatkeqësitë në botë përgjithësisht.
Mirëpo, agjërimi nuk është vetëm pjesë e fesë islame, por i takon edhe religjioneve tjera, dhe është praktikuar kaherë, qysh me sektet e hershme pagane.
Dietologët sugjerojnë që agjërimin ta shohin përtej një praktike fetare, si praktikë që ndikon pozitivisht në shëndetin e njeriut dhe bëhet faktor ekskluziv në përmirësimin e metabolizmit.
Agjërimi është rasti ideal që me një dietë të ekuilibruar të arrijmë të largojmë tepricat e grumbulluara, të shtojmë vetëkontrollin në ushqim dhe të ndodhin tri gjëra të rëndësishme në organizëm:
-detoksikimi
-regjenerimi
-mjekimi i përgjithshëm
Dobitë shëndetësore të agjërimit
Gjatë agjërimit trupi ka një periudhë pushimi të plotë nga e cila përfiton në mënyrë të shpejtë.
Agjërimi ndihmon censorët e shijes që të përshtaten me një nivel më të ulët të kripës që merret me ushqimin, kjo gjë i mundëson trupit të adoptohet me shpejtësi me një dietë të shëndetshme me më pak kripë.
Rikalibrimi enzimatik: Gjatë agjërimit, trupi shton ndryshimet enzimatike që ndikojnë në rregullimin e shumë sistemeve si detoksifikimi nga substancat helmuese, harxhimin e rezervave dhjamore dhe rezervimin e proteinave. Ky është dhe shkaku i përmirësimeve në gjendjen klinike të pacientëve.
Humbja në peshë: Nuk është një strategji primare për rënien nga pesha, por ndihmon.
Ndihmon në fitimin e zakoneve të një ngrënieje të rregullt. Meqenëse reduktohet pirja e duhanit, pastrohet gjaku dhe forcohen mushkëritë.
Atmosfera shpirtërore gjatë agjërimit ul stresin. Stresi ndikon në cilësinë e jetës dhe është shkak potencial për shumë sëmundje.
Organizmi i obezëve gjen mundësinë e pushimit si dhe i jepet mundësia që të rregullojë mënyrën e të ushqyerit.
Detoksifikimi: Agjërimi lehtëson dhe mobilizon eliminimin e substancave të dëmshme nga organizmi si: kolesteroli, acidi urik, dioksina dhe mbetje të tjera toksike.
Natriurezis: Agjërimi nxit efektin natriuretik, që e lejon trupin të eliminojë natriumin dhe ujin e tepërt nga organizmi. Kjo lejon zgjidhjen e problemeve kronike me edem, dhe ndihmon në uljen e volumit të rritur të gjakut, bashkë me presionin e lartë të gjakut.
Agjërimi ndihmon në lehtësimin e sëmundjeve si artriti, koliti, astma, alergjitë e ndryshme dhe largon lodhjen, duke ulur kalimin e pjesëzave të vogla të patretura mirë nga zorrët në enët e gjakut.
Agjërimi ka një ndikim normalizues në sistemin autonom nervor. Ul shqetësimet në sistemin tretës si dhe qetëson gjendjen e ankthit.
Agjërimi përbën një periudhë pushimi për organet e sistemi tretës:
Mëlçia pushon 4-6 orë;
Stomaku pushon, nuk grumbullohet acid tretës;
Zorrët, kanë një periudhë pushimi porsa i përket sekrecionit të lëngjeve si dhe ulet ritmi i punës i muskujve. Pllakat Peyer; që ndodhen në zorrë, nën endodermë janë pjesë e sistemit mbrojtës, gjatë agjërimit bëhet revizionimi mbi to dhe njeriu bëhet më i qëndrueshëm ndaj sëmundjeve që kalojnë në sistemin tretës.
Mosdjegia e plotë e mbeturinave të lëndëve ushqimore në enët e gjakut shkakton dëmtimin dhe konsumimin e tyre, kurse gjatë agjërimit, sidomos para iftarit, të gjitha lëndët ushqimore në gjak eliminohen.
Veshkat gjatë agjërimit pushojnë dhe ripërtërihen.
Gjatë agjërimit, palca e kockave (vendi ku prodhohet gjaku) ngacmohet dhe shtohet sasia e prodhuar e gjakut.
Praktikat e mjekëve
Dr. Dewey, Dr. Guelpa, Dr. Frumusan, Dr. Pauchet; janë disa nga mjekët që kanë kryer kërkime mbi agjërimin dhe kanë përdorur agjërimin me kohë të gjatë dhe të shkurtër për trajtimin e pacientëve të vet.
Dr. Dewey këshillon pacientët e vet dhe njerëzit e shëndetshëm: “Hani 2 herë (vakte) në ditë”.
Prof. Dr. Pauchet i këshillon pacientët që do të operohen, të agjërojnë para dhe pas operacionit, për të ulur në minimum rreziqet e operacionit dhe që të shpejtojnë mbylljen e plagës.
Ndryshimi mes agjërimit dhe ndenjes pa ngrënë
Kur rri pa ngrënë stomaku është në pritje të ushqimit dhe sekreton acid vazhdimisht, gjë që është e dëmshme.
Personi që agjëron e di që nuk do të hajë deri në iftar dhe truri nuk nxit sekrecionet e stomakut. Kjo mënyrë pengon mosdëmtimin e stomakut./Demos/