Nëpër rrugën e pashtruar të Oprashkut të Istogut, kaloi eskorta e kryeministrit Albin Kurti, të martën.
Asfaltimi i saj ishte edhe një ndër kërkesat e serbit Petko Miletiq për shefin e Qeverisë, të cilit i bëri sefte konak.
Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i shkuan mysafirë edhe Sllavisha Komatoviqit në Zallq, derisa takuan edhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit serb këtu në vizitën për të cilën njoftoi vetë kryeministri në Twitter.
Ata që i takoi kryeministri një ditë më parë nuk deshën të prononcohen para kamerës, por prapa saj thanë se shefit të ekzekutivit i paraqitën hallet e tyre, për të cilat kërkuan ndihmë.
Arsye për këtë mund të jetë thirrja të cilën disa prej tyre thonë se pas lajmit e pranuan nga komuna paralele serbe në Istog që i paralajmëroi se mund t’u hiqet asistenca sociale.