Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës për armëmbajtje pa leje dhe tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Ndërkohë është shpallur në kërkim vëllai i tij 21- vjeçar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, policia gjeti një armë zjarri tip kallashnikov, një sasi me municione luftarake, 2 krëhëra dhe 2 bajoneta arme zjarri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u konstatuan edhe disa fidanë të dyshuar kanabis, të cilat dyshohet të jenë kultivuar nga dy vëllezërit në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, si rezultat i hetimeve disa mujore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë dhe kontrollit në territor kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Selcë, Njësia Administrative Gorë, Maliq.”