Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), që është kompetente për inspektimin e masave anti-COVID-19, ka filluar procedurat për gjobitjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pasi ky i fundit u xhirua duke mos repsketuar masat e vendosura nga Qeveria.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, u.d. drejtori i AUV-it, Flamur Kadriu.
“Rastin e kam dërguar te inspektorët sanitarë dhe zyra ligjore, për të parë se a kemi hapësirë ligjore për dënim apo gjobë mandatore. Në bazë të pamjeve në video dhe vendimit të Qeverisë, ne ende e kemi të paqartë se qysh mundemi me vepru”, tha Kadriu përmes telefonit.
Ai tha se sipas udhëzimeve të zyrës ligjore, edhe do të veprojnë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, të marten me 31 gusht është parë duke pirë kafe brenda hapësirave të një lokali, në qendër të Prishtinës.
Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, që kanë hyrë në fuqi që nga 30 gushti, e ndalojnë veprimtarinë e gastronomisë, brenda hapësirave të mbyllura.
Lumezi është parë duke qëndruar brenda një lokali, ndërkohë në të njëjtin lokal kishte edhe shumë njerëz të tjerë që po qëndronin.
I pyetur nga gazetari i KALLXO.com, pse ka qëndruar brenda hapësirave të lokalit, Lumezi u përgjigj duke thënë se kishte edhe njerëz të tjerë aty.
“Vallahi, pat plotë aty, edhe ne si të tjerët..”, tha Lumezi.