Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është vazhdimësi e ideologjisë së Enver Hoxhës.
“Të gjitha planet dhe programet e tyre bazohen në Lidhjen e parë të Prizrenit nga viti 1889, Lidhjen e dytë të Prizrenit nga viti 1943, kur u themelua lëvizja Balli Kombëtar, pastaj Lidhja e tretë e Prizrenit që u themelua në Nju Jork. Është ideologjia e tyre dhe Xhafer Deva, një burrë nga Mitrovica e Kosovës, i cili i pari iu bashkua forcave pushtuese naziste”, tha Vuçiq, raporton televizioni serb.
Vuçiq pas takimit me Nikolla Nedeljkoviq, ka thënë se Kurti ëndërron të jetë si Enver Hoxha, duke shtuar se kërkon nga ai që t’i lërë të lirë serbët.
“Kurti ëndërron të jetë Enver Hoxha, prandaj nuk e duron dot Edi Ramën. Vetëm nëse mund të jetë një përzierje e Enver Hoxhës dhe nëse mundet pak Zelensky. Prandaj budallallëqet që ‘Vuçiqi është Putini i vogël’ dhe siç mund ta shihni ai përsëri gënjeu. Dhe ne nuk jemi të interesuar për të gjitha këto, ne jemi të interesuar vetëm që ai ta lërë popullin serb vetëm. Ai vetëm mund t’i ëndërrojë të gjitha ato ëndrra boshe”, tha ndër të tjera presidenti serb, Vuçiq.
Derisa ka falënderuar popullin serb në Kosovë, ai iu është drejtuar atyre duke u thënë “ne do të vazhdojmë të luftojmë”, pas situatës së krijuar për 20 ditë në veri të vendit.