Qeveria e Kosovës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj vendimit të kësaj gjykate për pezullimin e vendimit të 23 nëntorit të Qeverisë për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar se kanë pranuar ankesën e Qeverisë në lidhje me këtë vendim.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Administrativ me datë 16.12.2022 ka pranuar ankesën e ushtruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndaj Aktvendimit me numër A.nr.2767/2022”, thuhet në përgjigjen e tyre për Reporterin.
Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin e Qeverisë për zvogëlimin e pagave të gjyqtareve dhe prokurorëve.
Ky vendim erdhi pasi që Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka dërguar në gjykatë vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017, kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.