Që nga dita e shtunë e 3 dhjetorit të këtij viti, në Deçan është hapur klubi më i ri i karatesë “Dukagjini” me profesor Nestret Maloku, karatist me me brezin e zi, si dhe kampion evrope në nivelin master.
Ky klub është nëndegë e atij në Gjakovë, ku që pesë vite është i hapur e që nga aty kanë dalur shumë talenta të karatesë, pjesëmarrës edhe në garat vendore e ato shtetërore.
Profesori Maloku në një intervistë për GazetaDemos ka treguar më shumë detaje sa i përket klubit që drejton.
“Në Gjakovë është hapur në 2017, tani është hapur edhe në Deçan, unë punoj profesor edhe e kam marr iniciativë me hap këtu. Interesimi ishte goxha i madh, unë jam profesor i Edukatës Fizike, jam i graduar me brezin e zi, në 2017 kam qenë kampion i evropës në nivelin master verzioni shutugan. E kam klubin prej ’90, nuk iu kam nda këtij aktiviteti”, është shprehur ai.
Maloku ka listuar edhe të mirat që ofrohen nga ky sport, e që këshilla më e shpeshtë që u drejtohet nxënësve është që të kenë sa më shumë aktivitet fizik e të minimizojnë kohën e kaluar në telefon.
“Gjithëmonë nxënësve u tham që është sport vetëmbrojtës, e ngrit intelegjencën shumë tek fëmijët, aktivitetin fizik, më e rëndësishmja që unë e kam marr këtë iniciativë është që fëmijët të largohen nga telefoni, e nga gjërat e këqija që po ndodhin. Kam pas disa nxënës që kanë qenë kampion e nënkampion të Kosovës. Në të ardhmen mendoj që edhe nxënësat e mi me marr pjesë edhe në garat ndërkombëtare, besoj që edhe vitin e ardhshëm”, është shprehur profesori nga Dukagjini.
Një nga preokupimet më të mëdha të profesorit të karatesë është ana financiare pasi edhe anëtarësia për të gjithë të rinjtë e të rejat që shprehin interesim për të mësuar artet marciale është pa pagesë, ndërsa përkrahja e vetme është nga Komuna e Gjakovës fillimisht, e nga disa individë të cilët kanë kontribuar në mënyrat që kanë pasur mundësi.
“Sa i përket anës finaciare jemi shumë dobët, nxënësat nuk paguajnë për anëtarësi, e falenderoj Komunën e Gjakovës që këtë vit mi kanë nda një mijë euro për shpenzimet e rrugës e këto, e falenderoj edhe Urim Fazlija që ështe drejtor në Drejtorinë e Kulturës e Rinisë e Sportit, ndërsa në Deçan më ka përkrahë kryetari, ka insistu me hap një klub në rajonin e Deçanit. Sot i kisha disa thirrje nga Isniqi e Deçani që me ardhë, e besoj që kryetari na përkrah. Kryetari i fshatit Gramaqel, Muhamet Avdiu ka qenë një nga iniciatorët, si dhe drejtori i shkollës Mujë Avdiu na ka liru sallën që të trajnohemi. Nxënësit në Gramaqel ushtrojnë nga dy orë gjatë tre ditëve të javës”, ka thënë mes tjerash ish-kampioni i Evropës.
Përkundër shumë vështirësive, ky thotë se në Kosovë ka prespektivë në avansimin e këtij sporti, pasi energjia që karakterizon nxënësit është tejet e lartë.
“Për momentin ka ardhur nga Londra instruktori ndërkombëtar Ramadan Berisha, kohë pas kohe shpresoj që ka me pas ndihma edhe prej kolegëve nga Federata e Kosovës. Kosova edhe ka pasur rezultate, por edhe sot ka rezultate shumë të mira në këtë sport, duke marrë parasysh gjatësinë e njerzve që janë shtatlartë, janë shumë energjik, besoj që kemi me pas shumë rezultate të mira. E falënderoj edhe Rasim Selmanajn, që edhe gjatë viteve të okupatorit na ka përkrah gjithëmonë, edhe e di që do të na përkrah edhe sot e tutje”, ka përfunduar për Demos, profesori Nestret Maloku.