Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, nga Kuvendi, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të emërojë përfaqësuesin e dytë të kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Deliu-Kodra ka thënë që Osmani duhet që të ndërpresë orvatjet e VV-së që ta bëjnë shumicën në KQZ.
“Nga kjo foltore dua të i bëj thirrje edhe njëherë presidentes Vjosa Osmani që ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ. I takon përfaq3uesi i dytë. Presidentja duhet ta emërojë anëtarin e dytë të PDK-së të propozuar nga PDK-ja she të ndërpresë orvatjet e LVV-së që ta bëjnë shumicën në këtë Komision”, ka thënë Deliu.
E për mosemërimin e anëtarit të kësaj partie në KQZ, Deliu-Kodra tha se është dujke ndodhur për shkak se presidentja Osmani po e ndjek rrugën në shërbim të plotë të VV-së
“Presidentja Osmani deri më tani nuk e ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në këtë KQZ sepse ajo po ndjek rrugën në shërbim të plotë të LVV-së dhe të Listës Guxo. Është e ditur zyrtarisht që LVV-ja e ka dërguar në Presidencë, propozimin e tretë për anëtar të KQZ-së e që jo rastësisht vjen nga Lista Guxo”, tha më tutje ajo sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ajo i ka bërë thirrje presidentes Osmani që të ndalojë që t’u shërbejë kalkulimeve të kryeministrit Albin Kurti.
“Presidentja e Kosovës duhet të ndalojë që t’i shërbejë kalkulimeve të kryeministrit Albin Kurti , dujke mos ia njohur të drejtën kushtetuese të përfaqësimit nga radhët e komunitetit boshnjak. Presidentja edhe pas vendimit që ka marrë nga Gjykata Kushtetuese duhet që ta emërojë menjëherë përfaqësuesin e PDK-së dhe të koalicionit VAKAT”, deklaroi ajo.
Në ndërkohë para disa ditësh, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur për një kërkesë të Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me interpretimin e nocionit “grupi më i madh parlamentar” në kontekst të ndarjes së vendeve në KQZ për grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Kushtetuesja ka bërë me dije se e ka shpallur kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme dhe ka refuzuar kërkesën për caktim të masës së përkohshme.
“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Më ndërkohë sipas njoftimit të Kushtetueses “Presidentja Osmani më 12 maj 2021, ka emëruar tetë (8) anëtarë të KQZ-së. Dy (2) anëtarët e tjerë nuk janë emëruar nga Presidentja, sepse (i) LVV ka propozuar tre (3) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, ndërsa PDK ka propozuar dy (2) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, dhe duke pretenduar “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës që përcakton se “nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për interpretim të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të dispozitës së lartcekur, përkatësisht nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare; dhe (ii) komuniteti boshnjak, në strukturën aktuale të Kuvendit, është i përfaqësuar përmes tri (3) subjekteve të ndryshme politike me numër të barabartë të ulëseve në Kuvend, ndërsa në Presidencë janë dorëzuar tri (3) propozime nga ky komunitet, ndonëse të njëjtit i takon vetëm një (1) vend në KQZ. Rrjedhimisht, Presidentja e Republikës gjithashtu pretendon “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës, përkitazi me emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastet kur një komunitet përfaqësohet nga më shumë subjekte politike, por me numër të barabartë ulësesh në Kuvend”, thuhet në vendim.