Tre shpërthime u dëgjuan midis orës 6:35 dhe 6:58 të mëngjesit me orën lokale të Kievit. Sirenat sinjalizuan një sulm ajror.
Disa shpërthime u dëgjuan në orët e para të mëngjesit të së hënës në Kiev, saktësisht një javë pasi rusët kishin sulmuar për herë të fundit kryeqytetin ukrainas, raportoi AFP-ja franceze.
Për sulmin u deklarua të hënën Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
“Si rezultat i një sulmi me dron, një zjarr shpërtheu në një objekt jo-banesor në lagjen Shevchenkiv në Kiev. Zjarrfikësit janë në terren, ndërsa disa objekte banimi janë dëmtuar. Mjekët ndodhen në vendngjarje”, tha Klitschko.
Po ashtu, ai publikoi në rrjetin social Twitter, pamje nga mbetjet e dronit kamikaz që sulmoi kryeqytetin ukrainas.
“Mbetjet e një prej dronëve kamikaz që sulmuan Kievin këtë mëngjes”, shkroi Klitschko në përshkrimin e pamjeve të publikuara.
Agjencia Reuters njoftoi se sulmi u krye nga mjete ajrore pa pilot – sulme kamikaz.
Të hënën e kaluar, më 10 tetor, rusët bombarduan rëndë Kievin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, duke vrarë 19 persona dhe duke plagosur 105 të tjerë. Një ditë më vonë, rusët vazhduan sulmet ajrore, por me më pak egërsi dhe objektivi kryesor i tyre ishin objektet energjetike në perëndim të Ukrainës.