Në vendin ku ndodhi një nga tragjeditë më të mëdha të vendit, ajo ku vdiqën 15 maturantë të Komunës së Malishevës sot u zbulua pllaka me emrat e tyre.
E në Fushë Arrëz shkuan kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci, ambasadori në Tiranë, Skender Durmishi, kryesuesi i Asamblesë Komunale, Argjend Thaçi, drejtues të institucioneve të Komunës së Malishevës dhe Bashkisë Fushë Arrëz dhe familjarë, profesorë, shokë të gjeneratës dhe qytetarëve të shumtë.
Kryetari Kastrati u ka shprehur mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan në atë ditë tragjike.
Njoftimi i plotë:
Në Shqipëri, bashkë me kryetarin e Bashkisë Fushë Arrëz, z. Fran Tuci, ambasadorin tonë në Tiranë, z. Skender Durmishi, kryesuesin e Asamblesë Komunale, z. Argjend Thaçi, drejtues të institucioneve të Komunës së Malishevës dhe Bashkisë Fushë Arrëz dhe në prezencë të familjarëve, profesorëve, shokëve të gjeneratës dhe qytetarëve të shumtë, shënuam përvjetorin e 18-të dhe zbuluam pllakën me emrat e 15 maturantëve të Komunës së Malishevës që tragjikisht humbën jetën në një aksident trafiku.
14 tetori i vitit 2004, është datë e errët kur ne humbëm tragjikisht në Fushë Arrëz 15 maturantë, gjatë kthimit nga ekskursioni në Shqipëri. Kjo ngjarje, njëherësh shënon edhe ngjarjen më tragjike për ne, në Kosovën e pasluftës, ku i gjithë kombi shqiptar atë ditë në të gjithë botën ishte i pikëlluar nga ky lajm i hidhur dhe lotët nuk kishin të ndalur, zemrat ishin të thyera, e dhimbja ishte shumë e madhe, jo vetëm për familjet e maturantëve por për të gjithë bashkëkombësit tanë.
Përjetësisht u jemi mirënjohës e falënderues për angazhimet dhe kujdesin intensiv autoriteteve të shtetit amë shqiptar, me theks te veçantë atyre shëndetësore, të cilat u angazhuan dhe i dolën në ndihmë nxënësve, personelit arsimor, familjeve dhe institucioneve të komunës së Malishevës për të përballuar sa më lehtë pasojat tragjike të atij aksidenti.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre jetësore! Qofshin të paharruara kujtimet për 15 maturantët tanë.