Deputetja dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka thënë se lidhur me rastin e keqtrajtimit dhe dhunës së një gruaje me shtetësi të huaj në Kosovë nga burri i saj janë njoftuar nga deputetja Adriana Matoshi.
Sipas saj gruaja që nga viti 2014 ka kërkuar ndihmë nga institucionet porse nuk është ndihmuar nga askush.
Balje ka thënë se për dy jave e kanë rregulluar të gjitha procedurat që gruaja bashkë me vajzat të kthehet në shtetin nga ku vinte. Sipas saj, të hollat për biletat janë siguruar nga vetë deputetët.
“Kemi edhe një rast ku një grua me shtetësi të Zvicrës ka raportuar për dhunë në familje. Tash kur kanë dëgjuar po lajmërohen. Është një aksion i përbashkët dhe do t’i ndihmojmë.
“Ne jemi komision edhe për peticione. Jemi shumë aktiv dhe aty nuk ka pozitë dhe opozitë dhe të gjithë jemi duke punuar bashkë. Komisioni për të drejtat e njeriut ka arritur të marrë besimin e qytetarit”, ka thënë ajo.
Balje ka thënë se janë në procedurë që të ndryshohet Ligji për Dhunë në Familje.
Ajo ka thënë se janë duke u munduar që të futet edhe Konventa e Stambollit në këtë ligj.
“Unë kur kam parë incizimin dhe jam prekur shumë. Unë kam vendosur bashkë me Komisionin që të bëjmë çdo gjë dhe ta ndihmojë gruan. Ne shumë shpejt kemi gjetur zgjidhje. Prej dje disa persona kanë thirrur dhe na kanë këshilluar për kujdes kur i dyshuari të dalë nga burgu mund të jetë kërcënim për neve”, ka thënë ajo.
Nazlije Balaj nga Ministria e Drejtësisë ka thënë se trajtimi i rasteve të dhunës në familje janë top prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë.
Ajo ka thënë se çdo derë që trokitet nga viktima ajo duhet të hapet.
“Që nga marrja e mandatit, çdo të premte ne kemi takime me qytetarët me të cilët trajtojmë tema të ndryshme. Ne kemi filluar një koordinim me Këshillin Prokurorial dhe Gjyqësor në formë të shkresave që të trajtohen rastet”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se për rastin në fjalë burri i cili ka ushtruar dhunë është duke u mbajtur në paraburgim.
Sipas saj, shkalla e dënimeve duhet të rritet sepse aktualisht ka dënime minimale.