Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Punëtorët nga Kosova në Kazakistan: Qe disa muaj s’kemi marrë paga

    30/09/2022 21:15
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Disa kosovarë të punësuar në kompaninë e ndërtimit Mabetex në Kazakistan thonë për Radion Evropa e Lirë se ka disa muaj që nuk i kanë marrë pagat.

    Përfaqësues të kompanisë që është në pronësi të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i mohojnë këto pretendime, duke thënë se asnjëherë nuk ka “vonesa serioze” në pagesa.

    Punëtorët që flasin për REL-in në kushte anonimiteti, ankohen edhe për kushtet e punës në këtë kompani – nga, siç thonë, rregullat strikte deri tek ushqimi që u shërbehet.

    Kompania Mabetex është themeluar në Zvicër në vitin 1999 dhe ka qenë e angazhuar në ndërtime dhe rinovime në disa vende të botës. Ajo ka filiale në 18 vende dhe rreth 14.000 punëtorë.

    Në kuadër të Mabetex-it, në Kazakistan gjenden rreth 2.000 shtetas të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë në qytete të ndryshme të këtij vendi.

    “Pa paga për pesë muaj”

    Njëri nga ta është Egzoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e REL-it.

    Ai thotë se paga i është vonuar qe pesë muaj. Këto të ardhura, thotë ai, i ka jashtëzakonisht të rëndësishme për familjen 4-anëtarëshe që ka në Kosovë.

    “Pak është e vështirë… Deri sa mua të më dalin rrogat, prindi im detyrohet të gjejë diku para borxh, ose të marrë ndonjë kredi të vogël, ose diçka kështu…”, thotë Egzoni.

    Dimri, sipas tij, e vështirëson edhe më shumë këtë situatë, pasi “duhet të blihen drutë për ngrohje e gjërat tjera”.

    Egzoni punon në Mabetex për më shumë se një vit, por thotë se është e vështirë për të dhe kolegët e tij të ngrenë zërin për të drejtat e tyre.

    “Punëtorët kanë frikë, sepse ne jemi me paga brenda. Nëse ne çohemi e bëjmë diçka, ai [kompania] na dënon me ato paga dhe nuk na i jep paratë fare”, thotë Egzoni, punëtor në të 20-tat.

    Punëtorët kosovarë në Kazakistan e marrin një pjesë të pagës atje, ndërsa pjesën tjetër – më të madhe – në Kosovë.

    Sipas punëtorëve që flasin për REL-in, vonesa ka ndodhur në mjetet që duhet t’u dalin në Kosovë. Ata paguhen nga 6 euro për orë.

    Mabetex: Pagat mujore dalin pa vonesa

    Valon Lluka, përfaqësues i kompanisë Mabetex, e mohon këtë vonesë.

    “Punëtorët kosovarë që punojnë në filialet e Mabetex Group në Kazakistan, tash e më shumë se 25 vjet, marrin rrogën mujore rregullisht, pa vonesa, si dhe një pjesë tjetër që u paguhet çdo tre muaj në llogaritë e tyre”, thotë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se në raste të caktuara “mund të ketë ndonjë vonesë, për shkak të natyrës së punës”, por, siç thotë, “asnjëherë nuk ka ndodhur që [punëtorët] të mos paguhen apo të ketë vonesa serioze”.

    Kastrioti, një tjetër punëtor i Mabetex-it në Kazakistan, thotë se paga i është vonuar dhe se për këtë askush nuk i ka dhënë shpjegime.

    “[Na thonë] kështu është këtu, nëse të pëlqen mirë, nëse nuk të pëlqen, rrugën e di”, thotë ky 25-vjeçar.

    Ai thotë se problemi me pagat dhe të tjera e kanë shtyrë të mendojë për kthimin në shtëpi.

    “E kam bërë plan ta shtyj deri në verë dhe të ec për në Kosovë”, thotë ai.

    Punëtorët ankohen edhe për mungesë të kontratës së punës.

    “E kemi kërkuar kontratën, por kanë thënë se kontrata është në Kosovë. Unë në Kosovë nuk kam marrë kurrfarë kontrate, nuk kam nënshkruar kontratë”, thotë Egzoni.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Mabetex për çështjen e kontratave, por nuk ka marrë përgjigje.

    Ankesa për rregullat e rrepta dhe ushqimin

    Punëtorët, në anën tjetër, ankohen edhe për rregulla të rrepta në lidhje me përdorimin e telefonave.

    Me të hyrë në vendin e tyre të punës, ata duhet ta dorëzojnë telefonin dhe nuk kanë qasje në të deri në përfundim të orarit.

    Sipas Egzonit, shpesh, telefonat nuk u lejohen as gjatë pushimit të drekës dhe kjo i frikëson, pasi nuk mund të kenë kontakt me familjen as në raste urgjencash, gjatë kohës sa janë në punë.

    “Shumë punëtorë rrezikojnë dhe i marrin telefonat në të zezë dhe i fusin brenda. Nëse të zënë duke e futur telefonin brenda, automatikisht dënohesh 100 deri në 500 dollarë”, thotë Egzoni.

    Ai vetë tregon se është dënuar një herë, pasi ka bërë përpjekje ta marrë telefonin me vete.

    Nga Mabetex-i thonë se shfrytëzimi i telefonave nuk është i ndaluar kudo, por “në kantieret e ndërtimit, ku kemi kujdes të shtuar të sigurisë në punë dhe në vende të natyrës sensitive”.

    “Çdo kompani apo korporatë serioze ka edhe rregullat e saj të punës për punëtorët e saj. Punëtorët, në momentin e punësimit, dakordohen për ato rregulla pasi iu komunikohen, rregulla që pastaj duhet t’i respektojnë”, thonë nga Mabetex.

    Një tjetër pakënaqësi e punëtorëve lidhet me ushqimin.

    “Në përgjithësi nuk është që mund ta hash atë ushqim… E ha ushqimin, ke barkqitje. Kemi problem shumë me këtë, jo vetëm unë, por shumë punëtorë janë ankuar”, thotë Egzoni.

    Ushqimi që shërbehet “është katastrofë”, thotë edhe Kastrioti.

    Por, kjo ankesë, sipas Mabetex-it, është e padëgjuar më parë.

    “Ushqimi në çdo kantiere të ndërtimit është me standarde të larta nga kuzhinierë profesionistë… dhe është dëshmuar qysh nga fillimi edhe nga vetë punëtorët. Është e çuditshme dhe hera e parë që kemi këtë informacion, që punëtorët, gjoja, nuk qenkan të kënaqur me cilësinë e ushqimit”, thuhet në deklaratën e Mabetex-it për REL-in.

    Viteve të fundit, shumë kosovarë kanë arritur të sigurojnë punë në Kazakistan kryesisht përmes kompanisë Mabetex Group.

    Në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, kompania e Behgjet Pacollit, Mabetex, ka projektuar dhe ndërtuar disa objekte: atë të Parlamentit, Pallatit Presidencial, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Jashtme, pastaj rezidenca shtetërore, qendra sportive, objekte kulturore e të tjera.

    Në janar të këtij viti, Kazakistani është përballur me një valë protestash masive, që kanë shpërthyer si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve, por që janë shndërruar shpejt në organizime masive kundër Qeverisë.

    Atë periudhë, autoritetet kazake kanë ndalur internetin dhe kanë kufizuar operacionet telefonike për pesë ditë. Nga kjo ndërprerje janë prekur edhe kosovarët që jetojnë në Kazakistan.

    Artikuj të ngjashëm

    Prokuroria e Prishtinës inspekton vendpunimet ku s’kishte siguri për punëtorët

    Zeqiri: Punëtorët kosovarë po ikin nga vendi i tyre për shkak se askush nuk garanton as punë, as mbrojtje ligjore

    Sigurimi fizik i QKUK-së hyjnë në grevë, kjo është arsyeja

    Të Fundit

    Ronaldo sqaron arsyen e mungesës në ceremoninë e lamtumirës të Diogo Jota-s

    Trump vendos afat për marrëveshje tregtare – bota në pritje të 9 korrikut

    Gjendjet një trup i pajetë në ujërat e liqenit të Pogradecit, dalin detajet e para

    Kosova rrit importin nga Serbia mbi 100%, Gërxhaliu: Kjo e dëshmon më së miri efektin e shkatërrimit të sektorit privat

    Edi dhe Anisa kapen mat në Istog

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.