Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    A po rreshtohet Serbia kah Rusia? Vulin nga Moska i quan ‘histeri’ sanksionet e BE-së ndaj Rusisë

    22/08/2022 21:15
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin u takua të hënën në Moskë, me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov të hënën në Moskë, një vizitë e rrallë kjo nga një zyrtar shtetëror i një vendi evropian. Vulin theksoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

    Ministri i Brendshëm serb, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-ruse dhe anti-perëndimore, deklaroi se i tha kryediplomatit rus, Sergei Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.

    Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po largohet nga rruga e saj drejt në BE-së dhe po kthehet më shumë drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, por edhe Kinës.

    Ministri Vulin konsiderohet si “njeriu i Moskës” brenda qeverisë serbe.

    Ai ka mbrojtur krijimin e “botës serbe” që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

    Ky i fundit reagoi ashpër të hënën gjatë një interviste me radion publike britanike, BBC kur u pyet lidhur me kontaktet që mban me Moskën dhe pasi gazetarja i përmendi akuzën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se është interesi i Moskës që të zhvendosë konfliktin diku tjetër, për të destabilizuar Evropën.

    Duke e ngritur zërin, zoti Vuçiq tha “s’kam folur me ta (Rusinë) prej një kohë të gjatë. Për herë të fundit me Putiniun kam folur para 3 apo 4 muajsh, lidhur me problemin e furnizimit me gaz. Ata (Kosova) vetëm duan ta shfrytëzojnë Rusinë duke folur për këtë. Të gjithë e dinë se këto akuza janë dështim i plot dhe gënjeshtra brutale. Ne kemi një ushtri neutrale, por ndërkohë do të kujdesemi për veten”.

    Presidenti serb u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 18 gusht në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Takimi mbi pesë orë përfundoi pa marrëveshje, ndonëse ai u mbajt kryesisht për zbutjen e tensioneve të 31 korrikut kur serbët në veri të Kosovës bllokuan rrugët si reagim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për masa reciproke, përfshirë edhe atë për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës.

    I pyetur lidhur me vizitën e zotit Vulin në Moskë, të cilën gazetarja e quajti “interesante” për kohën në të cilën po zhvillohet, Presidenti serb tha se “Ju besoni se është interesante. Por, a nuk ishte interesante kur Karl Nehammer, udhëheqësi i Austrisë ishte atje, ose nuk ishte interesante kur presidenti turk, vendi i dytë më i fuqishëm i NATO-s e viziton Moskën, ju thoni që është interesante vetëm kur një nga ministrat e qeverisë së përkohshme të Serbisë po e viziton Moskën”, tha presidenti serb.

    Zoti Vuçiq kujtoi se Serbia e ka dënuar në OKB sulmin në Ukrainë.Po është e vërtetë që jemi miq tradicional dhe kemi marrëdhënie të mira, por a jemi kukullat e tyre, jo nuk jemi – Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë

    “Po është e vërtetë që jemi miq tradicional dhe kemi marrëdhënie të mira, por a jemi kukullat e tyre, jo nuk jemi”, tha udhëheqësi serb.

    Pjesëtari i qeverisë teknike serbe Aleksandar Vulin megjithatë ka folur hapur se si Serbia duhet të braktisë objektivin e saj të anëtarësimit në BE dhe në vend të kësaj t’i drejtohet Moskës dhe ai shpesh ka sulmuar fqinjët e Serbisë dhe udhëheqësit e tyre, duke i quajtur ata me emra poshtërues.

    Vitin e kaluar, zoti Vulin kishte krijuar një “grup pune” me Nikolai Patrushevin, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për të luftuar “revolucionet me ngjyra” apo protestat masive që kanë çuar në përmbysjen e regjimeve në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, ish-Jugosllavisë, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

    Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, mediat e pavarura serbe raportuan se zoti Vulin në fund të vitit të kaluar, i dorëzoi Nikolai Patrushevit përgjimet nga një takim i mbajtur në Beograd nga anëtarë të opozitës ruse. Opozitarët rusë, duke e pasur të vështirë të mbajnë takime të tilla në Rusi, zgjodhën Beogradin për t’u takuar pasi nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Serbi.

    Menjëherë pas kësaj, disa nga ata që morën pjesë në takimin e mbajtur në Beograd u arrestuan në Rusi.

    “Associated Press” shkruan se zoti Vulin nuk ishte bindës kur mohoi t’i kishte dorëzuar zotit Patrushev, kasetat me regjistrimin e takimit të Beogradit.

    Zyrtarët e opozitës serbe kanë vënë në pikëpyetje qëllimin e vizitës së zotit Vulin në Moskë, ndërsa qeveria e re serbe pritet të formohet pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në prill. Shumica besojnë se udhëtimi i tij në Rusi u organizua nga Moska si një mënyrë për t’i bërë presion Beogradit për ta përfshirë atë në kabinetin e ri.

    Kryediplomati rus, Sergei Lavrov kishte planifikuar të vizitonte Beogradin në qershor, por fqinjët e Serbisë që janë anëtarë të NATO-s refuzuan të lejojnë avionin e tij të fluturojë mbi territorin e tyre.

    MinistriVulin tha në një deklaratë nga Moska të hënën se ai “ndjen keqardhje të thellë” për faktin që ministri Lavrov u pengua të vizitojë Beogradin në qershor nga vullneti i vendeve të tjera, duke theksuar se duke ndaluar vizitën zyrtare të ministrit Lavrov në Serbi, të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare janë shkelur.”

    Një pjesë e këtij materiali është marrë nga AP

    Artikuj të ngjashëm

    Shërbimi rus i inteligjencës pretendon se Serbia po eksporton tërthorazi armë në Ukrainë

    Pas telefonatës me Trump, Vladimir Putin bisedë edhe me Papa Leo XIV

    Ukraina dhe Rusia bien dakord të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur

    Të Fundit

    Varroset 27 vjeçari që vdiq në Lipjan

    Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në një barnatore në Graçanicë

    BE-ja për urat mbi Ibër: Çdo projekt kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes komuniteteve

    Rama akuzon Qeverinë për bllokim të buxhetit: Rrezik alarmant, janë prekur të gjitha shërbimet jetike

    Ramadani për rastin në Lipjan: Policët e dyshuar urgjentisht të arrestohen, jo veç të suspendohen

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.