Pangopësia e Erling Haalandit për të shënuar gola është një veçori e ngjashme me atë të Lionel Messit, sipas trajnerit të Manchester City Pep Guardiola, i cili thotë se është shumë i kënaqur me urinë e sulmuesit të tij për gola.
Haaland, i cili iu bashkua Cityt këtë verë, i shënoi dy gola në debutimin e tij në Premierligë kundër West Hamit, për ta ndihmuar skuadrën e Guardiolës ta nisë mbrojtjen e titullit me një fitore prej 2:0 në ndeshjen hapëse.
Përfaqësuesi i Norvegjisë e hapi llogarinë e golave duke shënuar nga penalltia që cilën e kishte fituar vetë në pjesën e parë në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Londër, para se ta dyfishonte epërsinë pas një pasimi të mrekullueshëm të Kevin de Bruyne.
Megjithëse bëri një debutim të ëndërruar në ligën elitare angleze, Haalandi nuk ishte plotësisht i kënaqur me vetëm dy gola, duke thënë se ishte shumë keq që nuk arriti het-trik.
.@KevinDeBruyne 🤝 @ErlingHaaland#ManCity pic.twitter.com/QbSBOKozCC
— Manchester City (@ManCity) August 7, 2022
Çfarë tha Guardiola për ngjashmërinë e Haalandit me Messin?
Guardiola është i lumtur që sulmuesi i tij 22-vjeçar ka një uri kaq të madhe për gola, duke thënë se ia kujton ditët e tij në Barcelonë me sulmuesin ikonë Messi, i cili tani luan për Paris Saint-Germain.
“Është shumë mirë, më pëlqen kjo”, tha Guardiola për reagimin e Haalandit pas ndeshjes.
“Isha me fat si trajner që e kisha Messin, i cili kur i shënonte dy gola, donte t’i shënonte tri, dhe kur i shënonte tri, donte t’i shënonte katra”.
Ai shtoi: “Golashënuesit e mirë asnjëherë nuk janë të kënaqur, ata kurrë s’janë të ngopur, por të uritur për më shumë”.
Haaland ishte kritikuar dhe përqeshur për paraqitjen e tij në humbjen kundër Liverpoolit në finale të Community Shield, pasi e kishte humbur një rast të mirë shënimi.
Por ai e harroi shpejt atë zhgënjim dhe nuk lejoi që kritikat të ndikonin në paraqitjet e tij të ardhshme duke shënuar dy herë në debutim në Premierligë.