"DOSJA B", pjesa 2...
Pak më herët GazetaDemos ju solli detaje të cilat u diskutuan në emisioni n’Demos nga Jusuf Buxhovi rreth romanit të tij të cilin e ka titulluar “Dosja B”.
Mes detajeve dhe disa dyshimeve të cilat u trajtuan e të cilat mund t’i lexoni e dëgjoni KETU, Buxhovi rrëfeu se ku e mori dhe përse u vendos në fillim të këtij romani një fletë-urdhër për ekzekutim, ku më pas vazhdoi të rrëfehet edhe për materialet e shërbimeve informative Gjermane BND-MAD dhe për proces-verbalet e UNMIK-ut dhe EULEX-it, të cilat janë materiale e akuza gjyqësore kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan GazetaDemos.
“Nuk jam unë anti-UÇK”
“Nuk jam unë anti-UÇK. Ai urdhër për ekzekutim është prej Hagës, ai është dëshmi që është vra njeriu, aty e kemi shti emrin… Hoxha është ai që është vra. Këto proces-verbalet e UNMIK-ut dhe EULEX-it janë kundër individëve, duhet me e bë dallimin, INDIVIDËVE. Këtu ka dallim shumë të madh, dhe këto materiale qe po i përmendni ju, janë fakte. Unë i kam shfrytëzuar këto fakte, por të jeni të bindur, unë jam humanist, jam shkrimtar, nuk mundem atyre 500 vetave, atyre që janë vra pas luftës…këtu nuk ka të bëjë UÇK-ja pas 12 qershorit, UÇK-ja e ka kry kapitullin e vet historik. Unë do ta kapi edhe tragjedinë dhe ta trajtoj në anën time”, rrëfeu ai.
Dyshimet për keqpërdorimin e fondit të mërgimtarëve “Vendlindja thërret”
Gjatë hulumtimeve në dosjen e shërbimit sekret gjerman, sipas librit të Jusuf Buxhovit figuron se 3% i fondit “Vendlindja thërret”- (fond ky i cili u jetësua falë mërgimtarëve tanë gjatë kohës së luftës), janë marrë me krim politik dhe ekonomik, madje shkohet edhe më tutje ku shkruhet se ka pasë keqpërdorim të 3% nga banka e Munhenit (Gjermani) në “Dardania” bankë (Tiranë), ku ai thotë se këto fonde shkonin te komandantët e shpifur.
Lufta e UÇK-së sipas Buxhovit
Buxhovi, luftën e fundit në Kosovë, e cilëson si luftë me kaçak që individët “silleshin vërdallë me lista, shkrimtarësh e historianësh, gazetarësh e aktivistë të LDK-së nga shtabet e panjohur të vetëshpallur edhe mercenarë”.
Sipas Buxhovit, gjatë luftës së fundit në Kosovë ka pasë persona të cilët kanë dërguar njerëz për vrasjen e njerëzve tjerë. Ai thotë se disa komandantë të shpifur e kanë shfrytëzuar luftën për qëllime kriminale, duke e përmendur qëndrimin e tij, se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, por në të cilën janë infiltruar disa elemente të cilat kanë shkaktuar dëme, dëme të cilat duhet të trajtohen.
“Sigurisht, ka pasë njerëz që kanë çu njerëz për me vra njerëz, njerëzit janë vra, nuk i ka vra reja ata, e po si do të them unë që janë vra prej burrave të mirë?! Problemi është për shfrytëzimin e luftës për qëllime kriminale, pikë. Ky është qëllimi im. Në çdo luftë të drejtë, siç ka qenë ajo, janë infiltru elemente të cilat kanë bë dëm, dhe këto dëme në po i përjetojmë. Dhe, si shkrimtar këto tema duhet të trajtohen”, tha ai.
Historiani gjithashtu shprehet se sipas tij, Kosova është mbushur me heronj, me të cilët është shkatërruar historia e Kosovës si pasojë e ndarjes së historisë në kapituj, ku parasysh po merret vetëm 10-vjeçari i fundit.
Ai shton se në romanin “Dosja B”, është munduar t’i trajtojë të gjitha këto probleme.
“E kemi mbushë Kosovën me heronj në çdo vend, e kemi shkatërruar historinë, sepse e kemi nda një kapitull 10-vjeçar dhe 3000 vjet i kemi lanë kështu. Qëllimi im ka qenë t’i qesë këto plagë. Plaga e komunizmit, plaga e ideologjisë edhe ajo që tash po na kërcënohet edhe me religjion. Në rajon kjo vepër quhet si vepra politike më e fuqishme e kohës, sepse ata e lexojnë ndryshe, nuk e lexojnë sikur ne, që e marrim me emocione, dikush e sheh vetveten, e dikush thotë vallah paska mendu te unë. Por, unë them që, këtu si krijues, kam pasë për detyrë ta sjell tragjiken e brendshme të luftës qe njëqind e sa vjet që po na përcjell”, tha shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, n’Demos.
/DEMOS/ /n’Demos/
Më shumë detaje mund t’i ndiqni këtu: