Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në Peran të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë ka humbur jetën një i ri.
Në bazë të informacioneve fillestare, dyshohet se babai e ka vrarë djalin pas mosmarrëveshjeve për pronë.
I vrarë ka mbetur Edon Ismajli ndaj të cilit dyshohet se me armë zjarri ka shtënë babai i tij, Naim Ismajli, ky i fundit tashmë i arrestuar nga organet e rendit.
Mediat lokale raportojnë se problemet mes tyre kishin nisur qysh kohë më parë.
Madje, zyrtarë policorë kanë konfirmuar se shumë raste janë hapur në polici për konfliktin mes babait dhe djalit për një kontest pronësor.
Para një jave dyshohet se mes tyre kishte pasur po ashtu konflikt fizik për të njëjtën tokë, për çka ishte hapur edhe rast në polici.
Lajmin për vrasjen e rëndë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 18:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Peran të komunës së Podujevës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, bëhet e ditur se një person, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ana e mjekëve emergjent. Policia ka iniciuar një hetim me synim sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, ka deklaruar ai.