Kanë mbetur edhe pak muaj që kur mbushen dy vite që Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri arrestimet e disa prej personave kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, shkruan GazetaDemos.
Gjatë gjithë kësaj kohe, akoma nuk ka filluar gjykimi ndaj tyre e që po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
E kritik ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës është shprehur ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Ramë Buja.
Ky në emisionin “n’Demos” është shprehur se ka një frikë sa i përket këtij procesi.
“Të flasësh për ata njerëz, në ato rrethana që ata janë është e rëndë, dua të besoj që drejtësia ta bëj të vete, sepse në asnjë rrethanë nuk mund të gjindet për ta se gjoja kanë bërë krime. E kam shumë të rëndë, para dy javësh bisedova me avokatët e Hashimit, dhe u thash a keni njohur ndonjëherë një Gjykatë të tillë, por e kam një drojë mos dalt kjo e imja. Do të ishte e tmerrshme nëse do dikush të barazojë krimet e Serbisë me dikënd që mund ta dënojë për krime që nuk janë bërë kurrë. Si mund të dënohet Hashim Thaçi, e Jakup Krasniqi që vetëm humanizëm reflektojnë, e njejtë për Kadri Veselin e Rexhep Selimin“, ka thënë Buja.
Nënkryetari i PDK-së ka folur edhe për deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale në 2015, ku ka edhe një arsyetim për këtë.
“Unë po e përjetojë në mënyrë të veçantë, sepse nëse dënohen ata, dënohet UÇK-ja e Kosova. Nuk e di a e mendojnë këta njerëz që po e financojnë këtë Gjykatë, se duke i dënuar këta njerëz, po dënohet NATO. Deputetët që kanë votuar Gjykatën Speciale mund të jenë të vetëdijshëm tash, por jo atëherë që na u soll e ambalazhuar se gjoja do të hiqet njolla e Dick Martyt. Por, po e them këtu, se mua më vjen shumë keq për ata deputetë që e kanë votuar këtë Gjykatë, se do ta kenë njollë tërë jetën në ndërgjegje vazhdimisht që e votuan, se iu doli krejt e kundërta. Kur kemi diskutuar në kryesi të partisë, unë kam qenë kundër“, ka pohuar tutje ai.
Ish-ushtari i UÇK-së ka rrëfyer edhe kohën kur ka njohur fillimisht ish-krerët e UÇK-së.
“E kam njohur gjatë kohë Fehmi Lladrovcin, e kam njohur shumë më gjatë Jakup Krasniqin, pasi 28 muaj e kam pasur në një dhomë gjumi në burg, Hashim Thaçin më pas e kam njohur si student në Prishtinë, me Kadriun nuk jam njohur përpara, jam njohur në luftë, as me Rexhep Selimin“, është shprehur Buja “n’Demos”
Teksa flet për heronjët e Kosovës, Xhevë e Fehmi Lladrovci, Ramë Buja rrëfen edhe një moment interesant me ta gjatë kohës së luftës.
“Një ditë para se të ndodhte ajo goditja e rëndë për ne, kur u vranë Fehmiu e Xheva, unë dhe Jakupi kemi shkuar në familjet e tyre dhe kemi ngrënë darkë. Me Fehmiun dhe Xhevën gjuajtëm në shenj, ia qëlluam deri diku, Fehmiu më mirë, unë dhe Jakupi pak më dobët, por Xheva na i shkoi të gjithëve, Fehmiu u bë nervoz dhe na tha që nuk ja qëllon gjithë por vetëm kësaj radhe, a në fakt Xheva ishte një shënjestruese mjaftë e mirë. Fati i keq ishte që të nesërmen, ata ranë për të mos vdekur kurrë“, ka përfunduar Buja.
Më shumë detaje mund t’i dëgjoni këtu: