Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Andy Levin, në kuadër të vizitës zyrtare në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga zyra e kryeministrit, shkruan lajmi.net.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen nga Kongresi dhe Senati Amerikan për çeshtjen e Kosovës dhe për kontributin e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës”, u tha në komunikatën për media të Qeverisë.
Kryeministri Kurti theksoi progresin e shënuar përgjatë qeverisjes njëvjeçare, duke theksuar punën e institucioneve në avancimin e kauzës së dyfishtë të krijimit të vendeve të punës dhe drejtësisë.
Në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryetari i qytetit Rochester Hills, Bryan Barnett, u bisedua edhe për dhe kërcënimin që aleanca ushtarake Serbi-Rusi paraqet për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri theksoi rreshtimin e Kosovës krahas vendeve perëndimore për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe gatishmërinë për të strehuar 5,000 refugjatë nga Ukraina.
Po ashtu, i njoftoi për mikpritjen tashmë të një gazetareje ukrainase, znj. Lyudmila Makey, dhe për gazetarët e tjerë që pritet të vijnë në Kosovë, për të vazhduar të lirë angazhimin e tyre në profesion.