Kosova sot ka shënuar gjashtëvjetorin e themelimit të Ushtrisë, ku më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Sikurse çdo vit, ky përvjetor do të pritej me përkujtime nga liderët e tanishëm të Kosovës. Megjithatë, gjashtë vite pas krijimit të Ushtrisë, ky përvjetor kaloi pa asnjë reagim nga krerët e institucioneve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Presidentja Vjosa Osmani, nuk dhanë asnjë koment apo mesazh për përvjetorin e një nga ngjarjeve më të rëndësishme të Kosovës së pas pavarësisë.
Përkundër mungesës së reagimeve nga krerët e institucioneve të Kosovës, figura të ndryshme politike e rikujtuan përvjetorin e Ushtrisë, duke theksuar rëndësinë e saj në forcimin e shtetit të Kosovës dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke postuar një video të asaj kohe, ka thënë se 14 dhjetori i vitit 2018 ishte një moment historik për vendin.
“Sot, gjashtë vjet pas, Ushtria e Kosovës ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë. Objektivi ynë strategjik afatshkurtër mbetet anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, dhe këtë rrugë do ta ndjekim me përkushtim dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Në këtë përvjetor po e rikthej në vëmendjen tuaj, një fjalë time nga zemra, ditën kur u formua Ushtria.” – ka shkruar në Facebook, Haradinaj.
Për gjashtë vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, ka reaguar edhe ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ku ka thënë se ky vendim nuk ishte vetëm një arritje institucionale, por një dëshmi e vendosmërisë së popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe sovrane.
“Sot shënojmë 6-vjetorin e një momenti historik për vendin tonë – ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Ky transformim nuk ishte vetëm një arritje institucionale, por një dëshmi e vendosmërisë së popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe sovrane. Jam shumë krenar që isha pjesë e këtij procesi, i cili Kosovës ia forcoi themelet si shtet. Lavdi të gjithë atyre që punuan e sakrifikuan për këtë arritje! Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet krenaria jonë.” – ka shkruar ai.
Ndërsa, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ndarë momente nga viti 2018, kur në kuadër të Konferencës së Kartës së Adriatikut pati një takim me sekretarin amerikan të mbrojtjes, James Mattis.
Sipas tij, kjo ngjarje ishte një pikë kthese në konsolidimin e mbështetjes ndërkombëtare për zhvillimin ushtarak të Kosovës.
“USHTRINË e bëmë. Tash DUHET ta anëtarësojmë në NATO! ” – shkroi Hoxhaj.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka përkujtuar 6-vjetorin e formimit të ushtrisë, duke bërë me dije se janë disa momente që nuk harrohen kurrë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka postuar disa fotografi të asaj dite historike, kur Kuvendi votoi ligjet për transferimin e FSK-së në ushtri.
“Janë disa momente që nuk harrohen kurr dhe kujtohen gjithmonë me krenari! 6vjet me parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u votua Ushtria e Kosovës! #UshtriaeKosovës #UÇK.” – ka shkruar Musliu.
Për gjashtë vjetorin e ushtrisë ka shkruar edhe Armend Zemaj, deputet në Kuvend, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Zemaj përmes një postimi në Facebook këtë ditë e ka quajtur hisotrike.
“Në ditën historike, vepra juaj është vula institucionale e krijimit të ushtrisë së re të Kosovës. Nderimi e kujtimi për ju, dhe të gjithë pjesëtaret e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, është bazament i sigurt në ecjen tonë shtetformuese. 6 vite nga formimi i ushtrisë së Kosovës.” – ka përfunduar ai.