Pesë ministra në qeverinë britanike kanë lënë postet e tyre pasi Rishi Sunak u bë kryeministër.
Sunak, megjithatë, mbajti Jeremy Hunt, i cili u emërua në këtë pozicion nga ish-kryeministrja Liz Truss dy javë më parë.
Ish-ministri i Drejtësisë Brandon Lewis dha dorëheqjen duke thënë se “kryeministri i ri do të ketë mbështetjen time nga prapavija në përballjen e shumë sfidave, si parti dhe si vend”. Ministri i Biznesit dhe Energjisë Jacob Rees-Mogg po jep gjithashtu dorëheqjen, si dhe ministri i Arsimit Kit Malthouse.
Chloe Smith nuk do të jetë më Ministre e Punës dhe Pensioneve dhe Ranil Jayawardena ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mjedisit.
Jeremy Hunt do të mbetet si Kancelar i Thesarit pasi u emërua nga Liz Truss në mes të tetorit për të qetësuar stuhinë financiare të krijuar nga programi i saj ekonomik.
Një politikan me përvojë që ka kaluar nëpër ministritë e shëndetësisë dhe të jashtme, Jeremy Hunt, 55-vjeç, hoqi pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të sjella nga qeveria e Liz Truss pas emërimit të tij dhe paralajmëroi se do të vinin masa të ashpra, duke nxitur frikën e një rikthimi në masat shtrënguese.
Masat e reja buxhetore duhet të shpallen më 31 tetor.
Kujtojmë se dje u bë e ditur se Sunak do të bëhet kryeministri i ri britanik pasi kandidatët e tjerë u tërhoqën nga gara për president të Partisë Konservatore, duke i lënë detyrën të drejtojë një vend thellësisht të përçarë në një krizë ekonomike.
Sunak (42), ish-ministër i financave, do të bëhet kryeministri i tretë britanik në më pak se dy muaj, me detyrën për të rivendosur stabilitetin e vendit, i cili është tronditur nga trazirat politike dhe ekonomike prej vitesh.
Multimilioneri, ish-kryetar i fondit të investimeve dhe analist i Goldman Sachs do të jetë kryeministri i parë britanik me origjinë indiane.