Mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të tërheq Propozimin që i lejon udhëtim pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë (Koordinaciona uprava).
Lidhur me këtë, organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, i kanë drejtuar sot një letër të hapur Ylva Johansson, Komisionere Evropiane për Çështje të Brendshme.
Sipas shoqërisë civile, nëse do të miratohet ky propozim, do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023 që bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë, si dhe besueshmërinë e Bashkimit Evropian si një ndërmjetësues i paanshëm në këtë dialograporton Klan Kosova.
“Do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serb të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit; do t’i nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serb të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit”, thuhet në letrën e shoqërisë civile.