Fitim Behluli ka postuar një shkrim të gjatë në përkujtim të Riza Llukës, i cili më 23 mars 1989 së bashku me 9 delegatë të tjerë, (Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha) votuan në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës.
Më poshtë GazetaDemos ju sjell postimin e plotë të Llukës:
Riza Lluka
Shkruan: Fitim Behluli,
Kthim në kohëra të vështira!
Gishtërinjtë që trandën Jugosllavinë, sot 34 vjet Riza Lluka i tha JO Serbisë – 23 Mars 1989
Riza Lluka, sot është dita jote 23 Marsi. Kjo datë më shumë se kurrë, sot e kërkon praninë tënde. Është përvjetori i thyerjeve të mëdha. Është përvjetori i gishtërinjve kundër Serbisë, kundër gjenocidit, kundër aparteidit.
-Është dita dhe data kur ti ndjeheshe më ndryshe nga ditët dhe datat tjera.
-Është 23 Marsi që ma kujton frazën tënde të shumëpërmendur ‘Atë ditë edhe ajri ishte i ngrirë’. -Është 23 marsi që ti e quaje ‘Të jesh’ apo të mos jesh’. -Fjalia jote e çdohershme: ‘Më shpëtuan rastet’.
Sikur historiografia e popullit shqiptar të kishte kohë më të tepërt, sigurisht do bënte mirë të merrej me një rrëfim … ndoshta të lënë përgjysmë … Faqe të trasha të saj do shkruheshin, për një aparteid të paparë e çnjerëzorë.
Drejtor, çdo ditë dhe vit që kalon, ne bindemi edhe më se, sinqerisht, ju keni një meritë të madhe, e cila do të mbetet dhe diskutohet gjatë, edhe mes nesh, gazetarëve të thjeshtë, politikanëve, e akademikëve. Shqiptarët sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për idetë e juaja, këshillat dhe burrërinë tënde, Drejtor. Edhe burrat e kohës, bashkëmendimtarët tuaj, kanë ikur, atje në qiell të janë bashkuar Drejtor, edhe efendi Rexhep Boja edhe Mark Krasniqi. Lisa të mëdhenj ju rrëzuan këtij vendi Drejtor… e Kosova nuk është mirë prapë… Nuk po ja dalim të ndërtojmë miq. Për miq duhen burra të fjalës.
Drejtor sot kur nuk je në mesin tonë, të themi, pusho i qetë, sepse dinjitetshëm i ke bërë vend vetës në histori.
23 Mars 1989: Riza Lluka – me 9 delegatë të tjerë, (Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha) votojnë kundër, nga gjithësejt’ 190 sa ishin në sallë (në mesin e tyre edhe shumë të paftuar), në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, me gishtërinjtë kundër suprimimit të autonomisë së atëhershme të Kosovës, do të trandnin Jugosllavinë, themelet e së cilës ishin lëkundur veç, ditë më parë, të të njëjtit vit, nga galeria e nëntokës në ‘Trepçë’.
Pas veprimit të gishtërinjve kundër dhe ngjarjeve që do pasonin në Kosovë, në shkëputjen filmike më poshtë, e gjeni edhe tërbimin e kasapit të fundit të Ballkanit, Millosheviq.
Nuk thuhet kot se, një popull që e harron historinë e vet, është i predispozuar me përsëritjen e saj, andaj, ky regjistrim i bënë mirë brezave më të rinj, por gjithsesi edhe ndërgjegjës së secilit prej nesh.
Ndryshe, më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Suprimimi i autonomisë do të pasonte pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve dëshmon se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Miq, në shënim dhe kujtim të kësaj ngjarjeje, duke qenë shumë i nderuar që pata fatin të bashkëpunojë ndër vite në RTV ‘Dukagjini’, (deri në ditët e fundit të jetës së tij), me njeriun e çeliktë, z.Riza Lluka, do të sjellë për ju një copëz (shkëputje) dokumentari, që i kushtohet kësaj periudhe, sa të rëndë aq edhe të ndjeshme.