Përparim Rama: Parkoje veturën në hyrje të Prishtinës, merr biletë falas të autobusit – zvogëlohen kolonat e kursehen para

Rama ka theksuar se ka arrritur marrëveshje me kompaninë “ELKOS”, ku tashmë qytetarët që vinë nga veturat e tjera, mund t’i parkojnë veturat pa pagesë tek ETC-ja në Fushë Kosovë.
Prej aty, biletat e autobusit urban do të jenë falas, dhe qytetarët mund të udhëtojnë drejt qendrës.
“Park & Ride po bëhet realitet në Prishtinë! Tani, edhe qytetarët që hyjnë nga drejtimi i Fushë Kosovës në Prishtinë, kanë hapësirën e destinuar për parking FALAS dhe biletë FALAS për transport urban. Kryeqyteti dhe “ELKOS” kanë nënshkruar bashkëpunimin për ta kthyer parkingun e ETC në magjistralen për Fushë Kosovë pjesë të sistemit Park & Ride!”, ka shkruar Rama.
“Çfarë do të thotë kjo për qytetarët që vijnë në Kryeqytet? Parkoni veturën tuaj falas në parkingun e ETC në magjistralen për Fushë Kosovë. Merrni biletë falas për autobusët urban. Udhëtoni lehtë e shpejtë drejt qendrës së Prishtinës”, ka shkruar ai më tutje.
Sipas Ramës, me këtë projekt do të zvogëlohen kolonat, kursehen para dhe mbrohet mjedisi.
“Ky sistem: zvogëlon kolonat dhe trafikun në qytet, kursen kohë e para, mbron mjedisin”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Ky projekt ka nisur zbatimin edhe tek Prishtina Mall, dhe në “Kodër të Trimave”.
“Ky është një hap i madh për ta bërë Prishtinën më të qasshme, më të pastër dhe për të krijuar një model të bashkëpunimit publik-privat për të ardhmen e Kryeqytetit! Park&Ride është në Veternik në Prishtina Mall dhe në Kodër të Trimave”, përfundon postimi i Ramës në Facebook.