Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar intelektualin Ukshin Hoti i cili është zhdukur që nga 16 maji i 1999 dhe ende nuk dihet për fatin e tij.
Kurti ka thënë se drejtësia për Ukshin Hotin nuk ka filluar ende. Ai është shprehur se Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur Ukshin Hoti. Drejtësia për të nuk ka filluar ende.
“Më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk. Edhe sot, ҫerek shekulli më vonë, fati i tij nuk është zbardhur. Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur ai. Drejtësia për të nuk ka filluar ende. Në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, përkujtojmë heroinën Marte Tunaj. Me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë. Për këto krime, drejtësia është vonuar”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka thënë 25 vite më pas, Serbia jo vetëm që nuk i pranon krimet e kryera në Kosovë, por ende i fsheh ato.
“Ҫdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë.25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme. Republika jonë nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. I përkulemi guximit e sakrificës së popullit tonë, që janë udhërrëfim për ecjen tonë përpara”. ka shkruar Kurti.