Shkruan: Shkodran Imeraj
Para 110 vitesh, në shtator të vitit 1915, në fshatrat Drenoc, Irzniq, Junik dhe Strellc u hapën shkollat e para shqipe, ku mësimi zhvillohej me alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe.
Këto shkolla u hapën nga administrata e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila për mësues angazhoi Ibrahim Fehmiun. Programet mësimore u morën nga modeli i shkollave austro-hungareze, por u përshtatën me alfabetin e miratuar në Kongresin e Manastirit më 1908.
Ky hap përbënte një ngjarje të madhe për banorët e trevës së Deçanit dhe rrethinës, sepse edhe pse nën pushtim, ata hynin në një etapë të re të emancipimit arsimor e shoqëror.
Mësimi ndiqej kryesisht nga djemtë. Në Drenoc, Irzniq dhe Junik mësimi zhvillohej në xhamitë e fshatrave, ndërsa në Strellc në kullën e Halilbekëve, ku si mësues i parë u angazhua Nexhip Draga. Më vonë, në këtë fshat u ndërtua edhe objekti i parë i posaçëm shkollor, i cili ka arritur të mbijetojë deri në ditët tona.
Mësuesit si Ibrahim Fehmiu dhe Nexhip Draga, të cilët ishin ndër të parët që përhapën mësimin e alfabetit shqip, zënë një vend të veçantë në historinë e arsimit shqiptar. Kontributi i tyre nuk u ndal vetëm në trevën e Deçanit dhe rrethinës, por pati jehonë më të gjerë në hapësirën kombëtare.
Këto themele të vendosura për arsimin shqip 110 vite më parë shërbyen si bazë e shëndoshë për ndërtimin e një shoqërie të emancipuar. Pikërisht këto shkolla u shndërruan në tempuj të dijes, prej të cilëve dolën emra të shquar që i dhanë nder dhe peshë historisë sonë kombëtare.
Sot, 110 vjet më pas, kujtojmë me respekt hapjen e shkollave shqipe në Deçan, duke nderuar sakrificën dhe vizionin e gjeneratave që besuan në dije e arsimim si themelet më të forta të lirisë dhe përparimit tonë kombëtar.
(fotografia në shkrim paraqet godinën e shkollës shqipe, e ndërtuar në kohën e administratës austro-hungareze)