1 muaj paraburgim për dy zyrtarë te KEDS-it në Ferizaj, dyshohen për ryshfet
Gjykata Themelore në Ferizaj ka pranuar kërkesën e Prokurorisë themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit për dy zyrtarët e KEDS-it të cilët dyshohen për ryshfet.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Dardan Maloku, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 25.02.2026 në Ferizaj, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K. në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejte i kanë kërkuar shumën prej katërqind (400.00) € të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njësori elektrik do t`i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njësorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do të ndanin ndërmjet katër personave, me ç`rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) Muaj”.
“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”.